Prezantimi i Barometrit Shqiptar të Sigurisë 2020 dhe një diskutim për gjetjet e tij

Botimi i barometrit më të fundit të sigurisë shqiptare thekson sesa thelbësore është siguria për ruajtjen e normalitetit ekonomik dhe shoqëror, veçanërisht gjatë pandemisë. Për të dytin vit radhazi, Fredrich Ebert Stiftung mbështeti anketën kombëtare “Barometri i Sigurisë Shqiptare” 2020 (BSSH) në bashkëpunim me Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Gjetjet e studimit u prezantuan në një tryezë të rrumbullakët të organizuar në platformën ZOOM në 9 mars 2021.

Edicioni i fundit i Barometrit ofron informacion të ri mbi perceptimin e publikut mbi çështjet e sigurisë në dritën e pandemisë COVID-19 së bashku me të dhënat mbi përkatësinë fetare. BSSH-ja është një burim i rëndësishëm për politikëbërësit dhe aktorët e interesuar për përmirësimin e funksionit të institucioneve të sigurisë dhe rritjen e besimit ndërmjet qytetarëve shqiptarë. Qëllimi i aktivitetit ishte krijimi i një platforme për të diskutuar rezultatet e sondazhit dhe për të pasur një debat më të informuar mbi sigurinë në Shqipëri.

Në fjalën hapese Drejtoresha e FES-it, Zyra e Tiranës, znj. Stine Klapper, theksoi rëndësinë e BSSH-se në shoqëritë demokratike dhe aspektet shumëdimensionale të dispozitave të sigurisë në kontekstin aktual. Ajo vuri në dukje se pandemia COVID-19, e cila ka prekur çdo aspekt të jetës së përditshme në të gjitha nivelet shoqërore, është ilustrimi më i mirë i këtij shumëdimensionaliteti të sigurisë.

 

Znj. Klapper gjithashtu nënvizoi se të dhënat e ofruara janë shumë informuese. Ato japin informacione në lidhje me shumë dimensione të sigurisë ndërsa botimi i dytë i Barometrit bën të mundur vëzhgimin e trendeve të opinionit publik ndër vite. Ajo vuri në dukje se Barometri i pajis vendimmarrësit shqiptarë, profesionistët dhe aktorët e tjerë të interesuar me një panoramë gjithëpërfshirëse për të diskutuar formulimin dhe dispozitat e politikave të sigurisë.

Drejtori i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Arjan Dyrmishi, foli për rëndësinë dhe natyrën unike të barometrit. Ai theksoi faktin se barometri është një produkt i rrallë kërkimor në Shqipëri pasi paraqet politikën e sigurisë dhe dispozitat e sigurisë nga këndvështrimi i qytetarëve në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike.

Z. Dyrmishi i kushtoi vëmendje të veçantë të dhënave të reja të mbledhura në lidhje me fenë. Ai përmendi që Barometri i vitit 2020 përfshin edhe 10 pyetje shtesë që lidhen me përkatësinë fetare. Të dhënat në lidhje me përkatësinë fetare kanë qenë një çështje e diskutueshme në Shqipëri në të kaluarën. Informacioni i mbledhur nga censusi e vitit 2011, i cili është i vetmi census për të mbledhur informacion në lidhje me përkatësinë fetare në Shqipëri që nga viti 1938, është debatuar gjerësisht nga komunitetet fetare.

Rëndësia e këtyre të dhënave u theksua gjithashtu nga Dr. Eduard Zaloshnja, metodolog i Barometrit, i cili nënvizoi vlefshmërinë e këtyre të dhënave dhe shtoi se Barometri gjithashtu ofron informacion në lidhje me praktikimin e fesë.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj, përgëzoi prezantimin e edicionit të dytë të Barometrit dhe e vlerësoi FES-in për mbështetjen e këtij projekti. Ajo theksoi vlerën e padiskutueshme që sjellin studime të kësaj natyre dhe se si ato mund të drejtojnë debatin mbi formulimin e politikave të sigurisë. Znj. Felaj shprehu keqardhjen që Barometri i vitit 2019 nuk mori vëmendjen e merituar gjatë vitit 2020 për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19. Ajo u shpreh se do të donte të shihte që ai të përdorej për të angazhuar Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe institucionet e sigurisë drejt debatit të duhur.

Ajo u ankua se debati mbi sigurinë mbetet i kufizuar në Shqipëri. Ajo gjithashtu shfrytëzoi rastin për të prekur çështjet rregullatore dhe praktike parlamentare që kontribuojnë për kufizimin e debatit mbi sigurinë edhe brenda Parlamentit. Në këtë kontekst, znj. Felaj theksoi se botimet e tilla si BSSH-ja mund të kontribuojnë gjithashtu për përmirësimin e praktikave parlamentare në lidhje me debatin e sigurisë.

Z. Ralph Gjoni, deputet i opozitës në Parlament, e vlerësoi shumë Barometrin dhe theksoi shumëdimensionalitetin e sigurisë. Ai theksoi rëndësinë e tij dhe nevojën për të parë më thellë në dimensione specifike bazuar në gjetjet e tij. Ai mori si shembull perceptimin e rritur pozitiv të publikut shqiptar ndaj Turqisë, Kinës dhe vendeve arabe krahasuar me një vit më parë dhe nevojën për të ditur më shumë pse ekzistojnë prirje të tilla. Ai gjithashtu vlerësoi studimin për të dhënat e ofruara mbi përkatësinë fetare.

Në mënyrë të ngjashme, znj. Elona Gjebrea, deputete e Parlamentit nga shumica në pushtet, përgëzoi Barometrin për kontributin për përmirësimin e njohurive lidhur mbi atë që qytetarët mendojnë për sigurinë dhe për ofrimin e mundësisë për të përmirësuar debatin mbi politikën e sigurisë. Ajo përgëzoi FES-in për mbështetjen e këtij projekti dhe Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes për punën e mirë për shpërndarjen e këtij edicioni të dytë.

 

Më poshtë jepen disa rekomandime të bëra nga folësit dhe pjesëmarrësit gjatë takimit:

·      Të nxiten diskutime mbi gjetjet e Barometrit 2020 me një audiencë më të gjerë, duke pasur parasysh që siguria është një ndër funksionet themelore të shtetit dhe një shërbim i rëndësishëm publik për qytetarët;

·      Të forcohet bashkëpunimi me deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe deputetët e tjerë të Parlamentit të Shqipërisë, për të trajtuar çështje dhe qasje në lidhje me legjislacionin dhe politikat në drejtim të monitorimit të veprimtarisë së institucioneve të sigurisë duke forcuar përgjegjësinë e Parlamentit dhe deputetëve të tij;

·      Të rritet ndërgjegjësimi duke organizuar diskutime në tryeza të rrumbullakët në institucionet akademike, duke përfshirë studentë dhe lektorë. Studentëve aktualisht u mungon njohuria dhe informacioni për çështje që lidhen me sigurinë dhe rendin publik.

·      Të identifikohen çështjet dhe të kryehen analiza të thelluara, të temave që janë me interes për publikun e gjerë, të cilat pasqyrohen në Barometrin Shqiptar të Sigurisë 2020.

·      Të vazhdohet mbështetja e këtij studimi për të krijuar një instrument dhe praktikë të qëndrueshme, për të kontribuar jo vetëm për një vlerësim sistematik të perceptimeve të qytetarëve mbi sigurinë, por edhe për të kryer një analizë dhe vlerësim krahasues të sfidave të reja, dinamike dhe të paparashikuara (siç ishte rasti me pandeminë COVID-19).

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Tiranë

Rr. Kajo Karafili 
Nd-14, Hyrja 2, Kati 1, Kutia
Postare 1418
Tiranë, Albania

+355(0)4 22 50 986
+355(0)4 22 73 306

info(at)fes-tirana.org

kthehu në fillim